Biografi dhe shkrime mbi Raincën

Back

Biografi Fehmi Salihu

Përulemi me respekt përpara jush për punën tuaj fisnike. Ju, jeni gur themel për arsimimin dhe edukimin e brezave të rinjë. Historia e zhvillimit të shkollave shqipe dhe të arsimit tonë kombëtar si pikënisje merret Mësonjëtorja e Korçës që u hap më 7 mars 1887, me mësuesin e saj Pandeli Sotiri. Por në fshatin Raincë të Luginës së Preshevës shkolla e parë shqipe u hap më 6 shkurt 1945, me mësuesin Fehmi Salihu! Kjo ditë do të jetojë përjetësisht, brez pas brezi. Urimet më të përzemërta të gjithë mësimdhënësve!

Fehmi Salihu u lind më 11 maj 1921 në një familje patriotike në fshati Përlepnicë të komunës së Gjilanit.

Shkollimin fillor katër klasësh e kryeu në fshatin Kmetoc të komunës së Gjilanit. Pas shkollës fillore, Fehmiu vazhdoi mësimet në Medresen e Madhe "Gazi Isa Beg" në Shkup deri në vitin 1941 e cila ishte vatër e njohur e arsimimit të të rinjve, ku në gjiun e saj nxori kuadro dhe emra të njohur shqiptarë. Pas kryerjes me sukses të kursit pedagogjik për aftësimin e kuadrove për punë në shkollat shqipe në vitin 1943, me dekret të Ministrisë Mbretërore të Shqipërisë, emërohet mësues në fshatin Vrellë të Istogut. Në këtë fshat, për herë të parë, filloi punën shkolla me mësim në gjuhën shqipe, ku punoi deri më vitin 1944.

Puna me zell të madh, i ndihmoi Fehmiut të fitojë përvojë  në udhëheqjen e procesit edukativo-arsimor. Më 6 shkurt të vitit 1945, emërohet mësues në fshatin Raincë të komunës së Preshevës, ku punoi deri në vitin 1948. Ishin kohë të vështira dhe mjaft të pasigurta për popullatën shqiptare, veçanërisht për atdhetarët si mësues Femiu, që njihej si intelektual i shquar i kohës.     

Kur pritej që bashkë me brigadën “Kosovare-Maqedone” të niseshin për frontin e Sremit, Sinan Sinani kryeplaku i fshatit, një arsimdashës i madh, pasi kishte kuptuar se Fehmiu ishte mësues dhe kishte kryer medresenë, e pyet nëse do të pranonte të qëndrojë dhe t`i mësojë fëmijët e fshatit në gjuhën shqipe. Fehmiu pajtohet të qëndrojë nëse do të ketë miratimin e komandantit të brigadës i cili quhej Liman Kaba. Të nesërmen, Sinan Sinani shkoi vetë në Preshevë që të kërkojë nga Abdullah Krashnica, që ishte  sekretar i rrethit të Preshevës, që Fehmiu të emërohej mësues në fshatin e tij në Raincë. Sinan Sinani tregoi se në brigadën e cila ishte vendosur në Raincës, ndodhej mësues Fehmi Salihu, për të cilin kërknte të ndahej nga brigada dhe ta emërojë mësues në fshatin e tyre. Sipas fjalëve të Shukri Jahiut, aktivist i shquar dhe atdhedashës, Abdullahu e përqafon Sinanin duke i thënë se na duhen njerëz të tillë që dëshërojnë fëmijët shqiptarë të mësonjë në gjuhën shqipe. E urdhëron komandanin e brigadës Liman Kabën që Fehmiu të emërohej mësues në fshatin Raincë. Më 6 shkurt të vitit 1945 në Raincë u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe. U hapën horizonte të reja për shkollimin e popollatës shqiptare e cila deri në këtë kohë detyrohej të mësonte në gjuhën serbe. Do të jetë kjo datë e bekuar e cila hyri në historinë e arsimit shqip te ne. Bashkë me   këtë ngjarje, do të hyjë në histori edhe mësues Fehmi Salihu, Abdullah Krashnica, Sinan Sinani dhe gjithë ata që kontribuan në hapjen e shkollës së parë shqipe në rrethin e Preshevës!     

Kështu filloi punën shkolla e parë shqipe me mësues Fehmi Salihun i cili ishte me plot vullnet dhe entuziazëm. Mund të kuptohej lehtë gjendja e tij shpirtërore në ato çaste të fillimit të misionit të tij fisnik, në edukimin e fëmijëve shqiptarë. Derisa priste nxënësit e parë do t'i kujtohe me siguri Luli i vocër i Migjenit, sepse para tij hynin në mësonjtore djem e vajza, të cilët ishin të zbathur e të leckosur. Të strukur në banka, vogëlushët me frikë prisnin fillimin e mësimit. Prindërit e tyre shpesh tregonin se si rraheshin nga mësuesit serbë pa asnjë arsye! Çdo gjë tashmë ishte ndryshe. Para tyre ishte mësuesi shqiptar, Fehmi Salihu.     

Lajmi se do të fillojë punën shkolla në fshatin Raincë u përhap me shpejtësi të madhe. U bën përgatitjet për mbarëvajtjen e mësimit. Kur u kuptua se mësimi do të zhvillohej në gjuhë shqipe, se mësues do të jetë shqiptar, dhe jo ndonjë serb, siç ishte deri tani, fashatarët u organizuan bashkë me mësues Fehmiun në regjistrimin e nxënësve në klasën e parë. U thye tradita që vajzat mbeteshin jashtë bankave shkollore, që nxiteshin nga vetë mësuesit serb të mos e vijonin shkollimin! U regjistruan të gjitha vajzat e fshatit. Meritë e veçantë e përfshirjes së vajzave i takon mësuesit Fehmi, sepse kishte përvojë në nismat e para të organizimit të shkollës dhe njihte mirë mentalitetin e popullatës. Për punën edukativo-arsimore, sjelljen e tij me nxënësit dhe rrespektin që gëzonte tek nxënësit dhe popullata flasin me epitetin më lartë ish nxënësit e gjenaratës së parë 87 vjeçari professor Ruzhdi Ymeri dhe ish nxënësja 86 vjeçarja Shukrije Arifi Latifi, që ende gëzojnë shëndet dhe memorje të mirë. Fehmi Salihu shumë shpejt organizoi mësimin edhe për të rritur në mësimin e shkrim-leximit, për ata që nuk kishin pasur fatin deri më tani të vijonin mësimet as në gjuhën serbe.    

Me një angazhim të madh dhe me punë të palodhshme, me qëllim të luftimit të analfabetizmit, shpejt  arriti të fitojë autoritet të madh te fshatarët e Raincës. Mësuesit të ri i ofruan kushte të volitshme për punë duke ia siguruar edhe banimin. Në fillim banonte te Sinan Sinani, e më vonë te Sherif Jahiu, të cilin e kishte në lidhje familjare. Nuk ishin rastet e pakta kur Fehmiu ftohej në ndeja e darka me të cilat fshatarët e nderonin për punën e tij. Strehimi i Fehmi Salihut edhe Fetahut në Ranicë, me respektin që gëzonin, bëri që mos të bijnë në dorë të organeve të Gjilanit që i kërkonin për veprimtarinë e tyre patriotike. Se gëzonte autoritet të lartë në fshat e tregon edhe rasti kur Fehmiu ishte pak i sëmurë. Fshatarët çdo ditë e vizitonin duke i sjellë ushqimet më të mira që kishin në mënyrë që të shërohej sa më shpejtë. Fehmi Salihu ishte mësues shumë i suksesshëm në punën e tij me nxënësit. Për një kohë të shkurtër ai siguroi abetaret dhe librat e parë të leximit në gjuhën shqipe që i sjelli nga Shqipëria. Ishte shumë i suksesshëm në punë.  Më vonë  në shkollë u formuan paralelet e kombinuara me klasë të parë, të dytë dhe të tretë.

Për një kohë të shkurtër u nda nga procesi edukativo-arsimor në mënyrë që ta kryente shërbimin ushtarak. Fehmi Salihu ishte një personalitet komplet, në punën e tij, përveç që shquhej si pedagog i mirë, dallohej edhe si humanist i vërtetë. Kujdes të veçantë tregonte ndaj nxënësve jetimë, çfarë kishte mjaft në klasë. Sillej ndaj tyre sit ë ishte prind i tyre. Ishte mjaft i kujdesshëm që gjatë punës mos ta lëndonte personalitetin e tyre. Në një çast sa përpunonte një pjesë leximi, që titullohej "Zemra e babës", gjatë leximit u prek thellë sa derdhi lotë, por më vonë gjeti forcë që t’i përkëdhelte jetimët duke i ndihmuar që mos ta ndiejnë mungesën e prindërve të tyre. Se i mbronte me forcë nxënësit e tij e dëshmon rasti kur një mësues serb, pa asnjë arsye e rrahu një nxënës! Mësues Fehmiu me vrap arriti pranë duke reaguar ashpër. E kërcënoi serbin duke i thënë se nuk guxon t`ia prekë më nxënësit e tij. Pasojat për të nuk vlenin. Ishte në një mision të shenjtë për sa here që vëhej në pyetje mbrojtja e nxënësve të tij të dashur!     

Fehmi Salihu do të mbetet një personalitet i paharruar  dhe shumë i respektuar në memorien e popullatës së fshatit Raincë, për punën që bëri me shumë sukses në arsimimin e gjeneratave të reja. Fshatarët dhe nxënësit e tij me pietet të veçantë e kujtojnë personalitetin e tij prej mësuesi. Puna e tij e suksesshme dhe me devotshmëri në Ranicë nuk mbeti pa u vërejtur nga organet arsimore të komunës. Pati fatin që të jetë nismëtar i hapjes së shkollë së parë tetëvjeçare në Preshevë. Atë kohë quhej gjimnaz  në rrethin e Preshevës. Nga organet e pushtetit lokal u emërua drejtor shkolle e më vonë inspektor i arsimit.    

Ishte viti shkollor 1948-1949. Hapet klasa e parë e gjimnazit. Pasi ishte shkolla e vetme në Preshevë, në të u regjistruan nxënës edhe nga komuna e Bujanocit dhe Kumanovës. Në klasë u regjisturan një numër madh nxënësish. Ishin të regjistruara edhe 8 vajza. Mësimi në shkollë filloi të zhvillohej për herë parë edhe në gjunën shqipe për nxënësit shqiptarë. Të gjitha lëndët mësimore, pos gjuhës serbe dhe ruse, i udhëhiqte mësuesi Fehmi Salihu. Numri i madh nxënësve në klasë dhe niveli i ndryshëm i njohurive paraprake të tyre e vështirësonte punën e arsimtarit. Kjo gjë u tejkalua shpejtë falë angazhimit të madh që bënte në përgatitjen e orëve mësimore mësuesi i devotshëm. Përveç punës edukativo-arimore në shkollë, mësues Fehmiu u angazhua në strehimin e nxënësve që vinin nga fshatrat e largëta duke i vendosnin nëpër familjet e nxënësve të Preshevës dhe të Rahovicës. Kujdes të veçantë tregonte për nxënësit që ishin vendosur në shtëpi mbi Preshevë, në "Villën Letafet". Me kujdes përcillte punën e tyre dhe kujdesej që mos t'i shqetësojë askush, Më vonë, kur kjo shkollë kishte klasat VI, VII dhe VIII,  Fehmi Salihu ligjëronte me shumë sukses lëndën Histori dhe Gjeografi.      

Në kolektivin e shkollës, Fehmi Salihu gëzonte autoritet të veçantë. Ishte i respektuar dhe shumë i dashur nga nxënësit dhe qytetarët. Fehmiu ishte misionar i parë i hapjes  së shkollës së parë me mësim në gjuhën shqipe. Në vitin 1953 emrohet inspektor i arsimit në komunën e Bujanocit, punë të cilën e kryeu me shumë sukses. Më pas kaloi në shkollën tetëvjeçare në Tërnoc të Bujanocit ku më vonë e kreu edhe detyrën e drejtorit. Edhe në këtë shkollë la gjurmë të pashlyeshme në arsimimin e gjeneratave të reja. Gjatë punës së tij si mësues u angazhua që brezi i ri të edukohej në frymën patriotike, duke ua mësuar nxënësve “Himnin e Flamurit”. U kishte lexuar vargje të poetit të madh Gjergj Fishta dhe vepra të tjera të cilat për pushtetin ishin me përmbajtje armiqësore.      

Puna e suksesshme e mësuesit Fehmi Salihu bie në sy organeve shtetërore serbe dhe bashkëpunëtorve të tyre që ishin kundër arsimit shqip. E akuzojnë për propagandë armiqësore kundër sistemit jugosllav me deklarata të rreme nga dëshmitarët e rrejshëm vetëm e vëtëm për ta dënuar dhe larguar nga puna e tij e suksesshme në arsimin shqip. Më 28 prill të vitit 1960, bashkë me shokun e tij të punës, mësues Shaban Xheladinin, i burgosën dhe i dërguan  në burgun e Vranjës. Fehmi Salihu akuzohej për propaganë armiqësore ndërsa Shaban Xheladini akuzohej se ka qenë prezentë kur Fehmi Salihu është shprehur kundër sistemit jugosllav dhe ai nuk i ka lajmëruar organet shtetërore. Fehmiu qëndron në paraburgim 6 muaj ndërsa Shaban Xheladini  3 muaj. Në seancën gjyqësore, me dëshminë e Shaban Xheladinit se akuzat nuk janë të vërteta, Fehmiu lirohet nga paraburgimi dhe dënohet me 3 vite burgim me të drejtë mbrojtje në liri.     

Pas punës së palodhshme dhe me plot suksese në rethinën e Preshevës me kërkesën e organeve komunale të arsimit  kthehet në shkollën fillore “Musa Zajmi” në Gjilan. Fehmiu kishte pasur oferta edhe më parë për të kaluar në Kosovë. Organet komunale të arsimit në Zhegër i kishin ofruar postin e drejtorit të shkollë, por nuk kishte pranuar duke thënë se Lugina (Moravica) ka më shumë nevojë për kuadrot se Kosova. Ai ishte angazhuar për të drejtat e shqiptarve në këtë anë, për bashkimin me Kosovën dhe parandalimin e shpërnguljes në Turqi.             

Edhe në komunën e Gjilanit arriti suksese sepse tanimë kishte përvojën shumëvjeçare në procesin arsimor. Pas një pune të suksesshme dhe të palodhshme në arsimin shqip, kudo që veproi e punoi, ai do të mbetet i paharruar nga gjeneratat e reja dhe do të jetë burim frymëzimi se si duhej kontribuar në edukimin dhe arsimimin në gjuhën shqipe.      

Fehmi Salihu ndërroi jetë në moshën 48 vjeçare, në vitin 1969 kur i duhej shumë popullit shqiptarë me kontributin e tij. Pas vete la djemtë, Burhanin, mësimdhënës, Fatmirin, punëtor në Zvicër i cili kontribuoi në çështjen kombtare në forma të ndryshme dhe Nexhmijen, ekonomiste, në bibliotekën e Fakultetit Juridik. Ai la pas vetes edhe shumë nipa dhe mbesa që kontribuan dhe kontribojnë në Kosovë dhe shtetet e perëndimit; Merita dhe Sebehatja si mësimdhënëse të dalluara, Venhari jurist, kryetar gjyakte në Gjilan, Rizahu inxhinier, Mentori ekonomist, Burbuqja profesoreshë e Gjuhës gjermane, Spartaku HR manager, Shpendi, aktor i mbi 30 filmave dhe Fehmiu rrobaqepës në Gjilan.

Autor: Prof. Burhan Jusufi

            Search