Biografi dhe shkrime mbi Raincën

Back

Arsimi shqip në fshatin Raincë të luginës së Preshevës

Gjithmonë më ka shkuar mendja të shkruaj për vendlinjen time, aty ku u linda dhe u rrita. Ëndrra ime që të bëhem mësimdhënës u realizua me sakrificën e familjes sime që ndanë kafshatën e gojës për të më shkolluar dhe dua t`i mbetem faleminderues përjetësisht.
Kontributin tim shumëvjeçar në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinjë e dhash në disa shkolla të luginës së Preshevës e pastaj edhe në shumë shkolla të komunës së Prishtinës. Tani vendosa të shkuaj në pika të shkurta për arsimin shqip në fshatin e lindjes Raincë të luginës së Preshevës, sepse lëmia e profesionit tim është arsimi. Jo që nuk ka shkruar askush, por edhe unë dëshiroj të jap një kontribut sado pak të vogël ndryshe në këtë lëmi. Kërkova ndihmë dhe bashkpunim nga mësuesi i rrespektuar Z. Zydedin Sinani dhe pas hulumtimit në dokumente arhivore e përpiluam së bashku këtë shkrim për arsimin shqip. Arsimimi në fshatin Raincë të luginnës së Preshevës kishte filluar qysh në kohën e Perandorisë Osmane nga viti 1878 në gjuhën arabe me alfabet arab nga imamët e xhamisë. Edhe gjatë Mbretërisë Serbo – Kroato - Sllovene egzistonin shkollat në gjuhën serbe por jo edhe në gjuhën shqipe. Shkolla e parë shqipe në luginën e Preshevës është hapur në fshatin Raincë më 6 shkurt 1945 (sipas dokumenteve zyrtare në arhivën e Vranjës), datë e cila hyn në histori të arsimit shqip me mësuesin e parë Fehmi Sahliu nga Përlepnica e Gjilanit. Kontribut të madh në hapjen e shkollës së parë në gjuhën shqipe në fshatin Raincë të luginës së Preshevës kishte dhënë kryeplaku i fshatit Z. Sinan Sinani një arsimdashës me kapelë të kuqe, që e mbaj në mend edhe unë me atë veshje elegante të asaj kohe. Dëshmitari Z. Zydedin Sinani (i biri i Sinan Sinanit) mësues shumë i dashur dhe i rrespektuar nga nxënësit dhe qytetarët për kontributin e tij në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinjë, tani i pensionuar tregon kronologjinë e hapjes së shkollës së parë në gjuhën shqipe në fshatin Raincë. Ai tregon se prej 3 deri 6 shkurt të vitit 1945 brigada kosovare - maqedonase kishte kaluar nëpër luginën e Preshevës dhe është ndalur të pushoj në fshat.

Në brigadë ishte edhe mësuesi Fehmi Salihu i cili kishte ikur nga Kosova për shkaqe sigurie për jetën e tij dhe i bashkangjitet aradhës për të shkuar në betejën e Sremit. Ata vendosen nëpër shtëpi të fshatit, e disa ushtarë vendosen në shtëpinë e zotri Sinan Sinanit (babai i Zydedin Sinanit). Në bisedë e sipër, zotri Sinani e pyet prej nga është Fehmiun? Ai përgjigjet se është nga Përlepnica e Gjilanit, i biri i Halim agës. Z. Sinani kishte dëgjuar se ai kishte kryer shkollimin në medresën `` Isa Begu `` në Shkup dhe e pyet a dëshiron të qëndrosh në fshat të na mësosh fëmijët në gjuhën shqipe? Ai përgjigjet se është ushtar dhe nuk mundet ta bëjë këtë pa lejen e eprorëve të tij. Zotri Sinani të nesërmen herët në mëngjes e shalon kalin dhe niset për në Preshevë ta takoj Abdullah Krashnicën, atëherë sekretar për regjionin e luginës së Preshevës. Rrugës kishte pasur shumë vështirësi, sepse kishte shumë ushtarë dhe e pyetnin, ku je nisur në këtë kohë lufte? Kur ai i përgjigjet se po shkon ta takoj Abdullah Krashnicën, atëherë ushtarët e lironin. Kur mbërrin te Abdullah Krashnica rojet nuk e lejojnë të hyjë, por kur i tregon se ishte kryeplaku i fshatit dhe insiston me këmbëngulje të bisedoj me sekretarin për një punë me shumë rëndësi, atëherë rojet e lejojnë të hyj brënda. Kur zotri Sinani hynë në zyren e tij, ai e kishte pas kafen para vete dhe si duket kishte qenë diçka i sëmurë. Abdullahu pa e ngritur fare kokën e pyet përse ke ardhur kaq herët? Cka ka ndodhur në këtë kohë të vështirë sepse ishe edhe kohë dimri? Ai thot se e kam një kërkesë! Mbrëmë kemi strehuar 20-30 ushtarë të brigadës kosovare -maqedonase dhe njëri prej tyre kishte të kryer medresen në Shkup dhe dëshërojmë që ai të mbetet në fshat të na mësoj fëmijët tanë në gjuhën shqipe. Atëherë Abdullahu ngritet në këmbë, e përqafon dhe i thotë, të lumtë që paska njerëz që mendojnë për shkollimin edhe në gjuhën shqipe. E mori një letër dhe urdhëron komandantin e brigadës që mësues Fehmi Salihu dhe Fetah Kadriu të ndalen në Raincë, njeri si mësues e tjetri si punëtorë ndihmës. Letrën ia sjell komandantit të brigadës me urdhërin që Fehmi Salihu të qëndroj në fshat dhe të emrohet mësues për hapjen e shkollës së parë në gjuhën shqipe. Komandanti i thot zotri Sinanit, more kapuq kuq (aga Sinan mbante kapuçin e kuq) veç këtë urdhër e kam prej Abdullahut se ta kisha hequr kokën, që po ma ndalon ushtarin ma të mirë. Brigada në të njejtën ditë apo të nesërmen marrin rrugën për në luftën e Sremit. Fehmiu me ndihmësin e tij mori disa letra dhe dalin nëpër fshat për ti rregjistrur fëmijët. Atë ditë kishin rregjistruar 25-30 dhjemë dhe vajza.

Më parë vajzat nuk i ndjeknin mësimet në gjuhën serbe kurse djemtë ishin të detyraur por jo të gjithë i ndjeknin mësimet sepse pushteti nuk ishte i interesuar që shqiptarët të shkolloheshin. Të nesërmen shkojnë te mejtepi i xhamisë (ashtu quhej objekti) së fshatit. Ndërtesa kishte qenë dy kate dhe kishte dy dhoma. Kishte pasur disa banka të vjetra por nuk kishte derë as dritare. Kishin shkuar në Bujanovc, kishin gjetur disa letra, një stufë me disa qymka sepse qytetin e kishin gjetur të plaçkitur. Kishin sjellur dru, kishin ndezur stufën dhe kishin rregulluar dyert dhe dritaret e shkatrruara. Nxënësit ishin nga mosha 10 deri 13 vjeçare, të zbathur dhe të leckosur, duke të kujtuar Lulin e vocër të Migjenit. Fehmi Sahliu shpejt përfitoi përkrahjen e fshatarëve në organizimin e punës në shkollë, por edhe në arsimimin e të rriturve. Sipas Z. Zydedin Sinani nxënësit e parë ishin: Refiqe Arifi, Havçe Jusufi, Afete Jusufi, Shukrije Arifi lagja e Rexhajve, Kadri H Jahiu, Bejxhet Islami, Mejdi Gjimshit lagja e Golve, Salih Halimi lagja e Asllanve, Mexhide Limani, Hanumshae Limani lagja e Hutunve, Refiqe Jahija, Ruzhdi Ymeri, Hevzi Imeri, Musa Jusufi lagja e Kasollve, Hasip Rexhepi lagja Ramushve, Vaxhid Ramadani lagja e Hutajve, Bejtushe Zahiri lagja e Durakve, Hetem Imeri, Syleman Imeri, Qefsere Arifi, Gjyle Kadriu lagja e Nallbanve, Nazmi Sinani, Qamile Sinani, Ismail Sinani, Mejrushe Halimi lagja e Ukajve. Mësimi u zhillua në mejtepin e xhamisë deri në vitin 1950 /51, pastaj është ndërtuar një ndërtesë afër xhamisë. Ajo në fillim shërbente si zyre për nevoja komunale dhe pas dy viteve aty zhvillohet mësimi në gjuhë shqipe. Mësimi, aty u zhvillua deri në vitin 1953 kur ndërtohet ndërtesa e re te shkolla e sotme. Iniciator i ndërtimit të shkollës ka qenë i ndjeri Shukri Ymeri udhëheqës shumëvjeçar i strukturave të fshatit dhe invalid i LNÇ. Mësuesi Femi Salihu punoi në fshat deri më vitin 1948 sepse u detyra të shkoj në shërbim ushtarak në Nish. Prej vitit 1945 deri 1955 kanë dhënë mësim këta mësues: Fehmi Salihu nga Përlepnica, Rexhep Gashi nga Tënoci, Ramiz Hasani nga Breznica, Zejush Shabani, Xhavit dhe Sanije Limani nga Presheva, Shqipe Saqipi, Saqip Saqipi nga Letovica, Ali Bektashi nga Nesalca, Fejzullah Ademi, Nexhat Ramadani nga Corrotica, Ruzhdi Fetahu, Zeqir Jakupi nga Banja e Siarinës, Nevzad Jashari nga Rainca. Vaxhdon

Autor : Burhan Jusufi - Zydedin Sinani  

            Search