Biografi dhe shkrime mbi Raincën
Biografi Nevzad Jashari
Nevzad Jashari u lind më 14 prill 1916 në fshatin Raincë të komunës së Preshevës.
Shkollën fillore e kreu në gjuhën serbe në vendlindje, kurse shkollën normale, përmes kurseve pedagogjike në Prizren, Pejë dhe Shkup. Ai u kualifikua dhe mori diplomën e mësuesit për punë në shkollat tetëvejçre në gjuhën shqipe, atëherë quheshin progjimnaze.
Punën në arsim e filloi në fshatin e lindjes në vitin 1945. Aty dha kontributin e tij në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të fshatit deri në vitin 1948. Pastaj në vitin 1951/52 kaloi në shkollën fillore në Depcë, kurse në vitin 1950/51 në Corroticë. Prej vitit 1951/52 kalon me punë në Buiq, dhe ishte mëuesi i parë që e hapi shkollën në gjuhën shqipe. Në vitin 1952/57 punoi në shkollën fillore në Somolicë me katër klasë të kombinuara.
Pas punës shumëvjeçare nëpër shumë vendbanime të luginës në vitin 1957/65 rikthet në vendëlindje, ku jepte mësim edhe në klasë të larta.. Mësuesit shqiptarë edhepse e kishin punën në vendëlindje u detyruan të shkojnë prej një fshati në fshatin tjetër vetëm e vetëm për të hapur shkollat e reja në gjuhën shqipe sepse mungonin kuadrot e kualifikuara.
Foto e përbashkët e disa mësuesve me nxënësit e Raincës. Në foto shifet edhe mësues Nevzadi.
Në vitin 1964, unë isha nxënësi i klasës së parë i mësuesit të nderuar Nevzad Jashari. Ishte një mësues i dashur dhe i rrespektuar nga nxënësit. Ai padyshim gëzonte rrespekt edhe tek qytetarët e fshatit Raincë si të gjithë mësuesit tjerë, sepse ata ishin nismëtarët e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe.
E mbaj mend sjelljen e tij shumë miqësore me ne. Na këshillonte dhe na donte sikur të ishim fëmijët e tij. Nuk më kujtohet se ndonjeherë të na ketë ndëshkuar sepse më par përdorej edhe shkopi e shuplaka. Ai kishte përvojë në arsim dhe rezultatet nuk mungonin, sepse edhe kushtet ishin më të mira në shkollën e re se në fillim të karierës së tij si mësues.
Prioritet i mësuesit Nevzad, sikur edhe secilit mësues, ishte që nxënësit e tyre të vazhdojnë shkollimin e mesëm dhe pastaj edhe të lartë, sepse tani më edhe shkolla e mesme ishte hapur në Preshevë.
Synimi i çdo mësuesi ishte që sa më shumë djemë dhe vajza të përfshihen në shkollimin e mesëm e pastaj edhe shkollimin e lartë.
Mësuesi Nevzad Jashari ishte shembull me shkollimin e fëmijve të tyre. Njëri prej tyre ( Nehati ) ka qenë arsimtar im i matematikës, shumë i dashur dhe i sukseshëm në puën e tij bash sikur babai i tij.
Në vitin 1964 u shpërngul me familje në Kumanovë të Maqedonisë, ku punoi si mësues në shkollën fillore `` Vllazërimi `` deri në pension.
Mësues Nevzadi ndérroi jetë në vitin 1999 në Kumanovë dhe la pas vete djemt Nehartin, Qemalin, Ismetin dhe shumë nipa e mbesa.
Autor: Prof. Burhan Jusufi
Prishtinë, më 26/03/2023