Biografi dhe shkrime mbi Raincën

Back

Biografi Ali Bektashi

Ali Bektashi u lind më vitin 1918 në fshatin Nasalcë të komunës së Bujanocit. Ai i takon gjeneratës së parë  të veteranëve të arsimit në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës. 

Aliu rrjedh nga një familje përparimtare dhe atdhedashëse. Babai i tij Hoxhë Mulla Ahmeti me ide përparimtare e regjistroi ndër të parët në shkollën fillore në gjuhën serbe, që u hap në fshat në vitin 1930. 

Pas kryerjes së shkollimit fillor ai regjistrohet në shkollën bujqësore në Leskoc. Më vonë përmes kurseve pedagogjike e kryen shkollën normale `` Isa Beg `` në Shkup ku u kualifikua për mësues.

Në shtator të vitin 1945 u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe në fshatin Nasalcë, ku emrohet mësues i parë i kësaj shkolle. Në fillim mësimi zhvillohej në mejtepin e xhamisë në kushte shumë të vështira, pa tekste shkollore, pa mjete elemetare për punë, pa banka e karrika të mjaftueshme për nxënësit dhe me klasë të kombinuara. Më vonë kishte rënë në kontakt me mësues tjerë nga Kosova, prej nga i sillte abetaret dhe ndonjë tekst tjetër në gjuhën shqipe. Pos punës me nxënësit e rregullt ai u angazhua në mbajtjen e kursit për të rritur, për ata që nuk dinin mirë shkrim – lexim.  

Ali Bektashi për shkak të nevojës së shkollës tetëvjeçare në Raincë, për kuadër  të kualifikuar kalon të punoj në fshatin Raincë, sepse shkolla nuk mund të funkciononte dhe ishte rrezik të mbyllej. Puna e tij në shkollën tetëvjeçare në Raincë është çmuar dhe vlersuar shumë nga qytetarët, nxënësit dhe kolegët e punës.

Ai si kuadër i kualifikuar dhe me përvojë dha një kontribut të lartë në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinjë. Nga puna e tij e suksesshme arritën të dalin shumë kuadra të reja, në fillim si mësues e mandej edhe të profileve tjera.

Mësues Ali Bektashi kishte një bukurshkrim, të cilin ia mësoi edhe nxënësve të tij gjatë punës shumëvjeçare. Ish  nxënësit, e vlersojnë lartë dhe e lavdërojnë punën e shkëlyeshme kudo që kishte rastin të jetë mësimdhënës.

Në kohën kur punoi dhe veproi mësues Aliu me kolegët e tij ishin kohë të vështira. Ata përveç se përballeshin me mungesën e literatuës në gjuhën shqipe ata kishin probleme edhe me organizimin e mësimit për vajzat që deri tani nuk vijonin mësimet. 

Ata arritën ti bindin prindër që vajzat mos të mbyllen në shtëpi si deri tani, por të vijojnë mësimin dhe të arsimohen, që në të ardhmen të jenë kuadro që do ti shërbejnë familjeve të tyre dhe mbarë shoqërisë.

Për Aliun flasin edhe tre mësuesit nga Cërnica e Gjilanit, Mehmet Halimi, Abdyl Hoxha dhe Hasim Vranovci të cilët e çmojnë lartë punën e tij me nxënësit dhe bashkpunimin me mësuesit e rinjë që sapo kishin filluar të punonin në arsim. Mësues Aliu i kishte ndihmuar gjithashtu në procesin e organizimit të mësimit dhe dokumentacionit shkollor. 

Aliu përveç se ishte mësues dhe shokë i mire, ishte bujar dhe mikëpritës. Ai i kishte ftuar disa herë në shtëpinë e tij, ku i kishte gostitur me ushqime tradicionale të luginës. 

Në vitin 1962 rikthehet në Nasalcë, në shkollën ku kishte filluar për herë të parë karierën e tij si mësues. Në vitin 1966 hapet shkolla tetëvjeçare në fshatin e tij, dhe ai caktohet zëvendës drejtor i shkollës.

Pas punës shumëvjeçare Ali Bektashi pensionhet në vitin 1979. Vitet e fundit të jetës i kaloi tek bijtë e tij në Prishtinë, ku ishin në shkollim e sipër, zatën për atë edhe kishte ndërtuar shtëpi, që fëmijët të mund të shkolloheshin. Dëshira e tij u plotësua sepse të gjithë kishin kryer shkollimin e lartë.

Në vitin 2000 pas pavarsimit të shkollës tetëvjeçare nga shkolla amë e Lluçanit, për ta nderuar punën shumëvjeçare në edukimin dhe arsimimin e shumë gjeneratave, kolektivi i shkollës dhe qytetarët e Nasalcë vendosin që shkolla e fshatit të bartë emrin `` Ali Bektashi ``.  Sot shkolla fillore e mban me krenari emrin e mësuesit të parë të shkollës shqipe në fshatin Nasalcë të komunës së Bujanocit. 

Nga fshati i mësuesit Ali dolën shumë kuadro të kualifikuara të profileve të ndryshme, prej tyre edhe 8 doktorë shkence.

 Në janar të vitit 1989 ndërroi jetë në Prishtinë, dhe sipas amanetit të tij u varros në fshatin e  lindjes në Nasalcë, ku kishte filluar karierën e tij si mësues dhe kishte hapur shkollën e parë në gjuhën shqipe,

Pas vete ka lënë pesë djemë dhe shumë nipa e mbesa të cilët jetojnë dhe punojnë në Prishtinë :

 

- Abdullah Bektashi, magjistër i filozofisë, tani i ndjerë,

- Sabri Bektashi, mësimdhënës, tani i pensionuar

- Hajrullah Bektashi, punonjës në sektorin e turizmit,

- Sejdi Bektashi, punonjës në Klinikën e Kirurgjisë dhe 

- Bardhyl Bektashi, inxhinier i energjetikës.

Autor : Prof. Burhan Jusufi

 

            Search