Historiku i Raincës

Një përmbledhje e përgjithshme rreth vendbanimit Raincë.

Historiku

Fshati Raincë është vendbanim i banuar me shqiptarë që i takon komunës së Preshevës dhe shtrihet në veri të Luginës së Preshevës në Serbi. Rainca gjendet në mes të Preshevës dhe Bujanocit dhe është urë lidhëse e këtyre dy komunave. Vjetërsia e këtij fshati ka bërë që të jetë ndër fshatrat më të mëdha të komunës së Preshevës. Gjendet në kilometrin e 12-të të rrugës rajonale Preshevë-Bujanoc, ndërsa largësia nga qyteti i Bujanocit është 14km. Rainca në veri përkufizohet me fshatin Letovicë të Bujanocit, në lindje me Somolicën e Bujanocit, në jug me Corroticën e Preshevës dhe në perëndim me Garën e Preshevës.
Lartësia mbidetare e fshatit është 463m. Fshati gjendet në Luginë, në mes dy kodrave dhe në mes kalon lumi. Rainca i takon zonës kodrinore-fushore dhe ka një pozitë të përshtatshme, sepse ka dy zona ekonomike: rrafshin e shfrytëzon për bujqësi, ndërsa pjesën kodrinore për blegtori, vneshtari e pylltari. E kaluara e Raincës është ngushtë e lidhur me të kaluarën e Rajonit të Preshevës. Rainca banohej nga fisi Ilir Dardan, nga rrënja e të cilit pa dyshim janë shqipëtarët e sotëm. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat arkeologjike, etnologjike, antropologjike, kulturore-historike, gjuhësore etj.
Turqia Otomane e pushtoi rajonin e Preshevës më 1445. Gjatë viteve 1519,1528 dhe 1570 në Raincë kishte vetëm familje krishtere të besimit katolik. Gjatë vitit 1912 Rainca kishte 130 shtëpi dhe 717 banorë ku kishte edhe 9 shtëpi të banuara me serb për shkak të depërtimit të ushtrisë serbe. Rainca sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2002 ka pasur 2933 banorë me banim të përhershëm. Rainca sot ka mbi 600 shtëpi, me mesatarisht 4.38 anëtarë për shtëpi, dhe me ndërtim është në zgjerim të mëtutjeshëm në drejtim të binarëve.
Që nga regjistrimi i popullsisë së vitit 1948 deri në vitin 1953 ka pasur rritje të popullsisë ndërsa gjatë viteve 1953-1961 ka pësuar rënie për shkak të migrimit të popullatës për në Turqi. Migrimi i popullsisë nga Rainca deri në vitet 1970 është kryer në drejtim të Preshevës, Prishtinës ndërsa pas këtyre viteve drejt Europës Perëndimore.
Në ktë tabelë janë disa nga statistika të banorëve gjatë viteve në Raincë:

Viti Banorë
1948 1426
1953 1742
1961 1683
1971 1832
1981 2020
1991 2110
2003 2933
2022 3605
Referencat : Rainca Vendbanimi i vjetër Dardan-Shqipëtar në rajonin e Preshevës (Monografi ) – Vebi Fazliu & Xhemaledin Salihu
Search